Zëvendës-presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka thënë se është pajtuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.
“Ishte kënaqësi të flisja me Presidenten Vjosa Osmani dje për të falënderuar Kosovën që priti afganët në Kampin Bondsteel”, ka shkruar Harris në Facebook.
Për bisedën me Harris, të premten ka shkruar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Në fund, e ftova zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkët”, ka shkruar Osmani
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova ka pranuar qindra afganë.
Mbi 2 mijë llogariten të strehohen përkohësisht në Kosovë, deri në finalizimin e procesit të dokumentacionit për zhvendosje në SHBA apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian.
Personat e larguar nga Afganistani janë bashkëpunëtore të SHBA-ve, gjatë misionit 20 vjeçar në Afganistan.
Tash atje pushtetin e kanë marrë talebanët, vetëm disa ditë pasi forcat amerikane dhe të aleatëve filluan të largoheshin.
Pasi grupi militant mori timonin e shtetit, ishte rritur frika se talebanët do të persekutonin personat që bashkëpunuan me SHBA-të.
Deri më 31 gusht kishte një evakuim masiv, datë e vendosur nga SHBA-të për largim të tërësishëm nga Afganistani.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar ditë më parë se “po përfundon faza e ndërhyrjes nëpër vende të tjera”. /Insajderi.com