Hasani: Kurti mund të jetë kryeministër, por jo deputet

Hasani: Kurti mund të jetë kryeministër, por jo deputet

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se aktgjykimi i plotë i kësaj gjykate ka qartësuar se të gjithë personat e dënuar me gjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë dhe të marrin mandate nga Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Insajderi.

Megjithatë, sipas tij Kurti mund të nominohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij i fiton zgjedhjet.

“Nuk ka të drejtë, është e qartë ajo që e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani.

“Ajo nuk ka lidhje (me kandidimin për deputet). Mundet, Gjykata nuk e ka ndaluar këtë (nominimin për kryeministër)”, tha Hasani, raporton REL.

Çështja e kandidimit të Kurtit në zgjedhjet e ardhshme është aktualizuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, për shkak të votës së Etem Arifit. /Insajderi.com