Hashim Thaçi: Adem Demaçi është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare

Hashim Thaçi: Adem Demaçi është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar Adem Demaçin me rastin e dy vjetorit të vdekjes së këtij të fundit, njofton Innsajderi.

Në profilin e tij në Facebook, Presidenti Thaçi, është shprehur se Adem Demaçi është figura kyçe e refuzimit të sistemit represiv jugosllav e serb në Kosovë.

“ADEM DEMAÇI është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare dhe politike të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Është emri i njeriut që sakrifikoi për së gjalli talentin e tij, rininë dhe burrërinë, duke ngritur zërin kundër pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht nga shteti i Serbisë”.

Më pas Thaçi ka shtuar se vepra e Demaçit është burim frymëzimi për çdo gjeneratë.

“Me burgosjet e njëpasnjëshme, Adem Demaçi u shndërrua në simbol të vetëdijes sonë kombëtare, duke u bërë frymëzim për shumë gjenerata në rrugë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

 

Më poshtë, postimi i plotë i presidentit Thaçi:

ADEM DEMAÇI është emri dhe mbiemri i ndërgjegjes kombëtare dhe politike të Kosovës së gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Është emri i njeriut që sakrifikoi për së gjalli talentin e tij, rininë dhe burrërinë, duke ngritur zërin kundër pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht nga shteti i Serbisë.

Me burgosjet e njëpasnjëshme, Adem Demaçi u shndërrua në simbol të vetëdijes sonë kombëtare, duke u bërë frymëzim për shumë gjenerata në rrugë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Adem Demaçi ishte i burgosur politik që me ndërgjegje të lartë, qëndrueshmëri dhe konsistencë të përhershme nuk lëvizi asnjë moment nga ideali i tij jetësor.

Emri i tij personifikon vlerat më të mira të shpirtit liridashës të kombit që i përkiste, por edhe ato të vlerave universale të kulturës, tolerancës dhe dashurisë ndaj njerëzimit.

Jam krenar që pata fatin të punoj dhe koordinoj shumë veprime dhe qëndrime politike me Adem Demaçin si përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998 – 1999.

Një komb mund të jetë i vogël numerikisht, por është i madh cilësisht kur nxjerr nga gjiri i tij një njeri të përmasave evropiane dhe botërore.

Emri i Adem Demaçit është i përjetshëm, ashtu si ideali dhe ëndrra e lirisë, ashtu si Kosova e të gjitha gjeneratave që ishin, janë dhe do të vijnë./Insajderi.com