Hashim Thaçi bie në kundërshtim me veten për taksë – tash thotë diçka tjetër

Hashim Thaçi bie në kundërshtim me veten për taksë – tash thotë diçka tjetër

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se ai, as nuk ka kërkuar vënien e taksës, por as tërheqjen e saj.

Thaçi në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ai vetëm ka inkurajuar liderët politikë që ‘të shikojnë nga e ardhmja’.

Por pavarësisht deklaratës së tij, ai insiston se nuk duhet të komplikohen raportet me SHBA-në e Bashkimin Evropian, që rrjedhimisht i bie se nuk do të duhej të ketë taksë, ani pse presidenti po mohon se ka kërkuar tërheqjen apo vendosje të saj, shkruan Insajderi.

“Unë as nuk kam propozuar vënien e taksës, as pezullimin e takës. Unë vetëm kam inkurajuar bartësit e institucioneve dhe liderët politikë që të shikojnë kah e ardhmja, kah hapat strategjik që janë me interes jetik për shtetin. Nën një, që të prodhojmë argumente pozitive dhe ndihmuese për partnerët tanë, në veçanti SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, të na ndihmojnë, dhe në asnjë rrethanë t’ua komplikojmë angazhimet e tyre apo të prodhojmë ngjarje negative që ua vështirësojnë partnerëve punën për të na ndihmuar, sepse Kosova mund të ecë përpara dhe mund të ketë sukses vetëm në një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi për Radio Evropën e Lirë, përcjell Insajderi.

Për pjesën që presidenti ka kërkuar ose jo tërheqjen e taksës është vërejtur edhe në statusin e tij ironik, me të cilin ka thumbuar kryeministri Haradinaj për deklaratën e tij që, taksa largohet ‘kur bora shkrihet në dy anët’. Thaçi duke ironizuar është shprehur se “bora ka filluar të shkrihet dhe që shpreson që nuk do të bëhet skolltë”. Duke lënë të nënkuptojë që taksës po i bie fundi.

Taksa prej 100% është vendosur me 21 nëntor të 2018-s nga Qeveria Haradinaj si kundërpërgjigje ndaj politikës së Serbisë, e cila sidomos përgjatë 2018-s luftoi që Kosova, assesi të anëtarësohet në INTERPOL. Fillimisht taksa u mirëprit nga pothuajse të gjithë akterët politikë, por së fundmi kryeparlamentari dhe njëherit kryetari i PDK-së, Kadri Veseli kërkoi pezullim e taksës prej 120 ditës, krejt kjo sipas tij për shkak të kërkesës së SHBA-ve. Ditë më parë në një emision televiziv Veseli tha se “lë në lloç të gjithë ata që duan t’i prishin raportet me Amerikën”.

Theksojmë se liderët e koalicionit qeverisës janë takuar mbrëmë në orët e pasdites, takimi ka zgjatur për më shumë se 2 orë e gjysmë. Ndërsa gjatë ditës së sotme krerët e shtetit kanë pasur takim edhe me ambasadorin Philip Kosnett./Insajderi.com