Haskuka: Lopët nuk i kemi marrë nga Serbia

Haskuka: Lopët nuk i kemi marrë nga Serbia

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Myfter Haskuka ka thënë se lopët që janë subvencionuar nga komuna për blegtorët, kanë origjinë nga Sllovakia.

Kamioni me të cilin janë sjellë lopët kanë targa të Serbisë, jo të Sllovakisë,  për këtë gjë kanë reaguar  zyrtarët komunalë nga PDK-ja dhe AAK-ja.

Zyrtarët komunalë të këtyreve partive kanë thënë se ende qëndron taksa 100% ndaj Serbisë.

Për ta sqaruar këtë, Myfter Haskuka ka bërë të ditur, që edhe pse kamioni kishte targa të Serbisë, lopët nuk ishin me origjinë nga shteti serbë, por nga Sllovakia.

Haskuka ka theksuar se për shpifësit veçse i kemi filluar procedurat për padi në Gjykatë

“Disa zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së kanë dezinformuar opinion publik duke shpifur kinse lopët qumështore janë me prejardhje nga Serbia. Origjina e kafshëve identifikohet nga shenjat identifikuese të kafshëve (vathët – matrikujt e vendosura në vesh) dhe dokumentacionet përcjellëse si pasaporta dhe certifikata shëndetësore veterinare, dhe jo nga targat e mjetit transportues. Pra, 99 krerë që Komuna e Prizrenit i ka shpërndarë fermerëve, kanë prejardhje nga Sllovakia dhe këtë e vërteton edhe pasaporta e kafshës në foto” , ka shkruar Haskuka.

Puna e mjetit transportues, sipas Haskukës i takon operatorit ekonomik.

“Sa i përket transportit të kafshëve, ai bëhet nga operatori ekonomik sipas standardeve evropiane dhe dispozitave ligjore në fuqi, duke i plotësuar kushtet si ndriçimi, ajrosja, ushqimi dhe uji i pijes, ndërsa operatori është i obliguar që ta përdorë mjetin transportues konform këtyre dispozitave ligjore”, ka shkruar Haskuka.

“Gjithashtu sipas Ligjit për Prokurimin Publik, Komuna duhet t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe nuk mund të përcaktojë kritere diskriminuese, në këtë rast të përcaktojë regjistrimin e mjetit transportues”, ka shkruar nëd tjerash ai.