Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se numri i infektuarve me COVID-19 është më i madh sesa që thonë statistikat, pasi siç thotë ai, aktualisht testimet po bëhen vetëm për ata persona që kanë simptoma.
Haskuka tha se që nga momenti kur janë shfaqur rastet e para me Coronavirus, në këtë komunë pozitivë kanë rezultuar mbi 600 persona.
“Momentalisht komuna e Prizrenit deri tani që janë testuar dhe kanë dal pozitiv janë mbi 600 persona por unë mendoj që numri është më i lartë duke marrë parasysh numrin e testeve dhe tani testet po bëhen vetëm me ata që kanë simptoma. Në dy javët e fundit në krahasim me komunat tjera pak një numër më të vogël dhe tani jemi komuna e katërt apo e pestë…në dy javët e fundit në Prizren janë rreth 140 persona që kanë dal pozitiv dhe çdo ditë disa prej tyre shërohen kemi raste të reja”, tha Haskuka për KosovaPress.
I pari i komunës së Prizrenit ka dhënë se bazuar në informatat e djeshme në Spitalin Regjional të Prizrenit, aktualisht janë duke u trajtuar rreth 100 pacientë me Covid-19, ku 80 prej tyre janë me oksigjenoterapi. /Insajderi.com