Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka quajtur qytetar shembullor zyrtarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ridvan Hoxhën, i cili të mërkurën ndërroi jetë si pasojë e COVID-19.
Haskuka deklaroi se e kishte pritur me tronditje lajmin për ndarjen nga jeta të Hoxhës, duke e cekur edhe veprimtarinë e tij i cili njëherish ishte mësimdhënës, aktivist politik e shoqëror dhe sportist.
“Ridvan Hoxha në vitet e nëntëdhjeta (1990-1999), në kohën e okupimit serb ishte Kryetar i Aktivit të Drejtorëve të shkollave Fillore dhe të Mesme të Komunës së Prizrenit, ku kontribuoi në ruajtjen e shkollës shqipe”, ka shkrur kryetari në Facebook.
Ai ka shtuar se Hoxha ishte organizator i formave të ndryshme të rezistencës, duke përfshirë protestat në mbrojtje të shkollës shqipe dhe në organizimin e sistemit arsimor në gjuhën shqipe.
“Ridvan Hoxha ishte aktiv edhe në sport si futbollist, trajner dhe drejtues i KF “Vëllazëria” të Zhurit. Një kohë ka kontribuar edhe si drejtues i KF “Liria”, ka shtuar tutje Haskuka.
Ai u shpreh se Ridvani do të u mungojë të gjithëve si një qytetar aktiv, gjithmonë pozitiv dhe i buzëqeshur.
“Në emër të qytetarëve të Prizrenit dua të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve! Zoti ju dhaftë durimin që ta përballoni dhimbjen!”, ka përfunduar Haskuka. /Insajderi.com