Havolli: 150 mjekë dhe infermierë do të vaksinohen të martën

Havolli: 150 mjekë dhe infermierë do të vaksinohen të martën

Rreth 150 mjekë dhe infermierë të Klinikës Infektive në Prishtinë do të marrin nesër (e martë) vaksinën kundër Coronavirusit, transmeton Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive, Fitim Havolli, i cili ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave do të shpërndahet shumë shpejt në tërë Kosovën.

“Diku 150 mjekë dhe infermierë do të vaksinohen nesër. Do të fillohet nga Klinika Infektive, ndërsa kontingjenti i parë i vaksinave do të shpërndahet në të gjithë sistemin shëndetësorë”, ka deklaruar ai në T7.

Ai ka shtuar se atëherë kur të vaksinohen së paku 70 për qind e popullsisë, do të ketë një kontroll të sistemit shëndetësor.

Kujtojmë se, 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të dielën e 28 marsit.

Kështu Kosova u bë shteti i fundit në Evropë që siguroi disa vaksina.

I pari që e ka marrë këtë vaksinë është kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet./Insajderi.com