Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, ka thënë se qeveria ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë me vendimin për pezullimin e avokatëve të cilët nuk kanë tri vjet përvojë pune t’u ndalohet të angazhohen në rastet e krimeve të rënda.
Ai ka thënë se kjo është hera e parë në historinë e Odës së Avokatëve ku Qeveria ndërhyn në punët e gjyqësorit.
“Që kur ekziston dhe janë formuar institucionet e Kosovës është hera e parë që një qeveri interferon dhe cenon pavarësinë e Odës së Avokatëve. Pavarësia e Odës së Avokatëve është e garantuar me aktet më të larta me kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Osman Havolli në një konferencë për media, raporton Insajderi.
Vendimin e ka bazuar në nenin 44 të Ligjit për Avokatinë i cili i jep të drejtë Qeverisë të mbikëqyrë ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve. Ky nen i jep të drejtë Qeverisë që deri në vendimin e gjykatës kompetente, të ndalojë ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me Ligjin.
Vendimi i ekzekutivit nuk ka asnjë rresht arsyetim.
Madje, kreu i OAK-së ka thënë se Qeveria me këtë rast ka ndikuar në uljen e kualitetit të përfaqësimit sipas detyrës zyrtare të palëve në procedurë dhe për të garantuar një siguri të mirëfilltë.
“Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh indinjatën e saj të thellë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila ka marrë për bazë nenin 44 të Ligjit të Avokatisë dhe ka pezulluar këtë rregullore”, ka deklaruar Havolli.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në lajthitje në lidhje me këtë vendim i cili do të shkaktojë vetëm dëme.
“Qeveria e Kosovës ka rënë në lajthitje me marrjen e këtij vendimi i cili do të shkaktojë dëm të pariparueshëm në sistemin juridik në vend, duke atakuar të gjitha institucionet e drejtësisë në vend. Pasojat e këtij vendimi janë evidente duke marrë për bazë edhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, është shprehur Havolli, raporton Insajderi.
Havolli ka thënë se nëse Qeveria nuk do ta marrë në rishqyrtim indinjatën e tyre, atëherë ata do t’i ndjekin procedurat ligjore.
Për më tepër, Rregullorja ua ndalonte angazhimin avokatëve pa përvojë prej tri vjetësh vetëm në rastet kur paguhen nga buxheti i shtetit. Në rastet e angazhimeve nga të pandehurit, atyre nuk u ndalohet që të mbrojnë edhe në rastet e krimeve më të rënda, ani se mund të mos i kenë tri vjet përvojë pune.
Kjo pikë ishte cilësuar diskriminuese dhe antikushtetuese nga një grup avokatësh të rinj që nuk i kishin tri vjet përvojë./Insajderi.com