Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se koncept-dokumenti për vetingun në drejtësi do të finalizohet në muajin gusht, shkruan Insajderi.
Ajo në raportimin para Komisionit për Integrime Evropiane tha se nuk iu është adresuar asnjë kriter shtesë për liberalizim të vizave, por vetëm angazhim dhe veprime serioze në adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Dje kemi përmbyllur draftin e parë të koncept-dokumentit dhe i njëjti dje është dërguar te grupi i gjerë i anëtarëve për të dhënë komentet e tyre deri më 30 qershor të këtij viti. Planifikojmë që koncept dokumenti për vetingun në sistemin e drejtësisë të bëhen në fund të muajit gusht”, ka thënë Haxhiu
Haxhiu, tha se me pakon e re ligjore dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të Prokurorisë Speciale, për luftimin e nivelit të lartë të korrupsionit do të ketë avancime në këtë drejtim.
“Do të fokusohemi në verifikimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në tri aspekte. E para integriteti moral i tyre, i cili është shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë sepse në kuadër të tyre duhen të jenë njerëz që kanë integritet moral në radhë të parë. E dyta në integritetin profesional të tyre, ne jemi të vetëdijshëm se shumë, mos ta ekzagjeroj përballet edhe me persona që nuk janë profesional dhe aspekti pasuror. Këto janë tri aspektet ku do të fokusohemi”, tha ajo.
Haxhiu, po ashtu kërkoi bashkëpunim nga opozita për hartimin e koncept-dokumentit për vetingun në drejtësi./Insajderi.com