Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, janë fjalosur në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për situatën në të cilën gjendet Telekomi i Kosovës, tash që përmbaruesi njëherë ia ka bllokuar xhirollogarinë e më pas ia ka tërhequr paratë për t’i bartur tek Dardafon, që ka fituar në gjykatën e Arbitrazhit, njofton Insajderi.
Bajqinovci ka thënë se të gjitha qeveritë e kaluara kanë punësuar familjarë në Postë dhe në Telekomin e Kosovës.
Ai madje ka dhënë edhe shifra se cila parti politike sa të punësuar i ka në këto institucione.
“Të gjithë kanë të punësuar, një komandant të gjithë familjen, një deputet gruan e kështu me radhë. Madje kam edhe shifra, janë; 56 të PDK-së, 15 janë të LDK-së, 16 të AAK-së dhe pesë të Nismës”, ka deklaruar Bajqinovci.
Më pas deputeti i VV-së i ka bërë pyetje direkte kolegut nga PDK-ja Bekim Haxhiut.
“Nëse ka mundësi sa anëtarë të familjes i ka në postë dhe sa në Telekom?”, ka pyetur Bajqinovci.
Haxhiu, i revoltuar ka pohuar se “asnjë anëtar i familjes sime nuk punon në Telekom”, derisa më pas ka shtuar “në postë kam të punësuar sa ka Albulena Haxhiu”.
“Lej këto marre, atje shko vjedh e këtu eja akuzo tjetër kënd. Tregoni ju sa keni përfituar nga përmbaruesi?”, ka qenë kundër pyetja e Haxhiut.
Bajqinovci nuk është përgjigjur në pyetjen e Haxhiut, vetëm i ka thënë se “e ke vëllain kryeshef, krejt familjen i ke në pozita të larta”.