Qasja në dokumentacionet dhe verifikimin e vaksinave në Ministrinë e Shëndetësisë nuk po lejohet meqë po klasifikohen të dhëna “sekrete”.
Pas demantimit nga Ministria e Shëndetësisë, se donacioni i ardhur së fundmi nga Norvegjia, i vaksinave anti-COVID, ka afat më të gjatë se deri më 30 qershor të këtij viti, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, thotë se sikurse për kontratën me kompaninë “Pfizer”, edhe në dokumentacionin e vaksinave të ardhura nga Mbretëria e Norvegjisë, do të kërkojë qasje dhe verifikim të datës së prodhimit.
Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, Haxhiu insiston se pranimi i këtij donacioni është në kundërshtim me ligjin Nr.04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe do të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sigurisht se pranimi i këtij donacioni është në kundërshtim me ligjin Nr.04/L-190 Për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe do të kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie, por MSH në momentin që ne po kërkojmë qasje në dokumentacion po klasifikon SEKRET dokumentacionet e vaksinave”, ka faktuar Haxhiu me anë të një dokumenti për redaksinë.
“Unë kam kërkuar qasje në dokumentacion në kontratën për blerje të vaksinave Pfizer dhe do të kërkojë qasje në dokumentacion dhe verifikim të datës së prodhimit të këtij donacioni të vaksinave AstraZeneca. Përgjigjeja për kontratën Pfizer nga MSH ishte se është klasifikuar dokument SEKRET!”, është shprehur më tej deputeti i PDK-së.
Haxhiu për këtë i vë faj MSh-së, duke thënë se dështimi i këtij dikasteri të Qeverisë nuk mund të fshihet prapa miqve të Kosovës, të cilët kanë ofruar ndihmën e tyre për popullin kosovar.
“Ua rikujtoj se Norvegjia më 11.03.2021 ka larguar nga përdorimi vaksinën AstraZeneca. Ndërsa Ambasadori i Norvegjisë këto vaksina i’a ka ofruar Kosovës me 18 Prill 2021 dhe Arben Vitia ka biseduar me Minstrin e Shëndetësisë së Norvegjisë me datë 21 Maj 2021, përse ka ndodh kjo vones në ardhje të vaksinave në Kosovë duhet të përgjigjet Qeveria e Kosovës respektivisht MSH”, ka thënë ai, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë është vonuar të marrë këtë donacion deri të shtunën.
Ai më tej thotë se informacioni që ky vend ka depo me mbi 180 mijë vaksina të AstraZenecas, 52 mijë e 800 prej të cilave kanë afat të përdorimit deri më 30 qershor, nuk është i tij, por i autoriteteve shëndetësore të Norvegjisë.
“Informacioni se Norvegjia i ka në depo 180,600 vaksina AstraZeneca 52.800 me afat të përdorimit deri me 30.06.2020 dhe të tjerat me afat të përdorimit deri me 30.07.2021, nuk është i imi por i autoriteteve shëndetësore të Norvegjisë publikuar me 11.03.2021, kur Ministria e Shëndetësisë së Norvegjisë dhe Instituti i Shëndetit Publik të Norvegjisë kanë vendosur të largojnë nga përdorimi vaksinën AstraZeneca”, tha ai, duke shtruar më tej pyetjen se pse MSh nuk po e tregon datën e prodhimit të vaksinave të pranuara donacion.Top of Form
Pretendimet e Haxhiut se MSh është vonuar të pranojë në kohë vaksinat e dhuruara nga Norvegjia, në një përgjigje për redaksinë, nga kjo ministri i kanë quajtur dezinformata.
Edhe me anë të një komunikate MSh tha se vaksinat e ardhura më 3 korrik nga ky vend, kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt. /Insajderi.com