
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me shefin e kabinetit dhe këshilltarin e Ministrisë, Genc Nimoni të martën kanë pritur në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin si dhe shefin e kabinetit, Nexhat Miftarin.
Siç bëhet e ditur në komunikatën për medie, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Arbitrazh ishte temë qendrore e këtij takimi, me ç’rast është diskutuar rreth bashkëpunimit për përfaqësim sa më dinjitoz në këtë institucion.
“Guvernatori Mehmeti, e vlerësoi të rëndësishëm koordinimin ndërinstitucional dhe njëherit ofroi bashkëpunimin për përfaqësimin sa më profesional në Arbitrazh. Ministrja Albulena Haxhiu shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të ofruar bashkëpunim brenda kompetencave në synim të rezultatit sa më të mirë në këtë përfaqësim”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se Guvernatori Mehmeti ka theksuar edhe rëndësinë e rregullores për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jo-materiale si dhe vështirësitë e bashkëpunimit me institucionet kryesore të drejtësisë.
“Në këtë takim është diskutuar edhe për rëndësinë e themelimit të Gjykatës Komerciale duke adresuar çështjen e përzgjedhjes së ekspertëve financiar dhe profesionalizmit të tyre. Të dy palët u dakorduan për thellim të bashkëpunimit për të mundësuar dhe rritur sukseset përballë aspiratave për të forcuar në këtë mënyrë institucionet respektive të Republikës së Kosovës”./Insajderi.com