Haxhiu e quan skandaloze deklaratën e ambasadorit të OSBE-së

Haxhiu e quan skandaloze deklaratën e ambasadorit të OSBE-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar lidhur me deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, Jan Braathu, se në veri mundet të votohet me dokumente të shtetit të Serbisë.

Përmes një postimi në llogarinë e saj ën Facebook, Haxhiu ka shkruar se deklarata e ambasadorit të OSBE-së është skandaloze.

“Deklarimet e ambasadorit të OSBE-së, se në veriun e vendit tonë mund të votohet me dokumente të Serbisë janë të papranueshme dhe skandaloze. Së pari është i papranueshëm fakti se si veriu gjithnjë shihet ndaras pjesës tjetër të vendit dhe së dyti deklarata se mund të votohet me dokumente të Serbisë, është qëndrim në kundërshtim me rendin juridik e kushtetues”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të tregohen vigjilente me rastin e ditës së zgjedhjeve.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, gjegjësisht zyrtarët e përfshirë në administrimin e zgjedhjeve po ashtu edhe policia e prokuroria duhet të tregohen vigjilent dhe të qëndrojnë në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të sovranitetit të Republikës, sikurse edhe të procesit zgjedhor në tërë territorin e Republikës”. /Insajderi.com