Ish-ministrja e Drejtësisë dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka treguar se me cilat parti politike mund të formojnë koalicion në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo, në një intervistë për media, ka thënë se ish-Qeveria Kurti kishte punuar në të mirë dhe për interesat e kosovarëve.
Haxhiu ka deklaruar se Kosova ka një përfaqësim jo dinjitoz në dialogun me Serbinë duke thënë se më shumë ishte temë brenda këtij procesi se sa palë.
“Kështu ndodhi edhe në Washington, më 4 shtator, ku Kosova dha krejt çka iu kërkua, duke filluar këtu me heqjen dorë fillimisht nga reciprociteti si element i shtetit e pastaj nga krejt shtetësia për 1 vjet, e tutje me ndarjen e Ujmanit, përfshirjen e Kosovës në projektin e Serbisë për zonën e Novi Sadit, garantimit dalje në detin Adriatik Serbisë, e deri te barazvlerësimi i të pagjeturve shqiptarë nga lufta me të shpërngulurit serbë nga paslufta. Në anën tjetër nuk morri asgjë çka duhej, ose çka kërkonte, pra njohjen nga Serbia. Për më tepër nuk ka marrë asgjë as nga çka iu ishte premtuar, pra investimet miliardshe e njohjen nga Izraeli. Përfundimisht, një dështim i madh politik e diplomatik”, ka thënë Haxhiu për klankosova.tv.
Sipas saj, LVV-ja do të punojë me administratën e Joe Biden, si dhe me Qeverinë e Izraelit.
Haxhiu, gjithashtu, ka deklaruar se ish-Qeverinë Hoti nuk e ka marrë askush seriozisht, duke thënë se “doli që kjo qeveri nuk ka ekzistuar fare”.
“Juridikisht ajo ka qenë inekzistente, sepse është formuar në mënyrë jokushtetuese. Pra, ne kemi humbur gjashtë muaj kot, me një qeveri koti, në kohë kritike e me kriza të shumëfishta. Prandaj, zgjedhjet duhet të mbahen në datën më të hershme të mundshme, ashtu që sa më parë të kemi një qeveri të re, me legjitimitet dhe të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti si kryeministër i saj”./Insajderi.com