Haxhiu i PDK-së paralajmëron një milion vaksina brenda tri ditësh

Haxhiu i PDK-së paralajmëron një milion vaksina brenda tri ditësh

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se është në pritje të një përgjigje për sigurimin e një milion vaksinave kundër Coronavirusit për qytetarët e Kosovës, përcjell Insajderi.

Ai në Kanal 10 ka thënë se është në kontakt me biznesmenë dhe mjekë në Evropë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sigurimin e vaksinave brenda tri ditësh.

Haxhiu ka bërë të ditur se vaksinat janë të kompanisë Moderna dhe AstraZeneca.

Sipas tij, me sigurimin e këtyre vaksinave, brenda tre muajsh të gjithë qytetarët mund ta marrin kurën kundër COVID-19.

“Kam kontaktuar me biznesmenë të suksesshëm, me mjekë, dhe shoqata të mjekëve në Amerikë, si dhe në vendet e Evropës. Jam duke e pritur një përgjigje konkrete për sigurimin e një milion vaksinave brenda tri ditësh, të kompanive Modena, dhe AstraZaneca. Sigurisht nëse edhe Qeveria e Kosovës është e interesuar për bashkëpunim”, ka theksuar Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se këto vaksina mund të vijnë në Kosovë brenda një muaji./Insajderi.com