Haxhiu kërkon nga AKK të ndalojë shërbimet me pagesë të zyrtarëve të lartë

Haxhiu kërkon nga AKK të ndalojë shërbimet me pagesë të zyrtarëve të lartë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë vendimin e parë pas ardhjes në krye të Ministrisë së Drejtësisë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook nga kjo ministri, është bërë publike dokumentin ku tregon se ka ndaluar shërbimet me pagesë të zyrtarëve të lartë.

“Sot, Ministria e Drejtësisë në cilësinë e hartuesit të Ligjit, i ka dërguar opinion ligjor Agjensionit Kundër Korrupsionit. Qëllimi i këtij Opinioni Ligjor është vënia në dijeni për mënyrën e drejtë në zbatimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, konkretisht Nenit 13 të tij, i cili i ndalon shpërblimet me pagesë të zyrtarëve të lartë dhe i cili nuk është vënë ende në zbatim”, thuhet në njoftim.

“Duke pasur parasysh që pavarësisht kësaj ndalese, zyrtarët e lartë sërish janë shpërblyer me pagesë si anëtarë të organeve drejtuese ku kanë qenë anëtarë, Ministria e Drejtësisë si sponzorizuese ka ndërmarrë veprime për zbatimin e këtij Ligji”, përfundon njoftimi. /Insajderi.com