Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që të jetësohet kërkesa e ish-kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli, për ta formuar Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Serbisë në Kosovë.
Ai këtë kërkesë e ka bërë në përvjetorin e 22-të të Masakrës së Studimes, e cila është ndër masakrat më të mëdha që u krye në Kosovë nga Serbia.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka shkruar se brenda 90 minutave në fshatin Studime u vranë 116 shqiptarë të pafajshëm dhe të pambrojtur, derisa u plagosën 25 të tjerë.
“Ndonëse ka të dhëna të mjaftueshme për urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e kësaj masakre, ende nuk ka asnjë të akuzuar apo dënuar”, ka shkruar ai.
“Iniciativa e kryetarit Kadri Veseli për krijimi i Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e Serbisë në Kosovë, është e domosdoshme dhe duhet të jetësohet.Shpirtrat e mijëra shqiptarëve që u vranë në mënyrë barbare në luftën e fundit nga okupatori serb nuk do të pushojnë të qetë pa u dënuar urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve në Kosovë”, ka shtuar tutje Haxhiu./Insajderi.com