Haxhiu: Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti

Haxhiu: Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë Hoti, duke thënë se po dëshmon mungesën e vullnetit për adresimin e krimeve të luftës, njofton Insajderi.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka pohuar se “Qeveria Kurti ishte e përkushtuar për adresimin e krimeve të luftës të shkaktuara nga Serbia.

“Së pari, me mbështetjen e institucioneve për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe së dyti, me themelimin pa vonesa të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ekipi i mandatuar për themelimin e Ekipit kishte nisur punën në këtë drejtim. Mandati i tij ishte deri në shtator 2020. Për shkak të pazareve për rrëzimin e Qeverisë nuk na lejuan ta finalizojmë”.

Tutje, në reagimin e bërë, Haxhiu ka deklaruar se Qeveria Hoti po shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti.

“Qeverisë së pazareve të vjetra, kësaj aktuales iu deshën 6 muaj për ta bërë një vendim, e një ekip. Kjo zvarritje për një çështje tejet me rëndësi dëshmon mungesën e vullnetit për adresimin e krimeve të luftës.

Kjo Qeveri po e shkatërron secilën nismë të mirë të Qeverisë Kurti. Fat i mirë që kjo Qeveri nuk ka jetëgjatësi dhe punët e mira që i kemi nisur, do t’i shtyjmë përpara me vullnet dhe angazhim maksimal”, përfundon reagimi./Insajderi.com