Haxhiu: Kompania që ia kemi shkëputur kontratën ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium”

Haxhiu: Kompania që ia kemi shkëputur kontratën ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të shtunën se kompania e cila kishte përfituar tender për ta shfrytëzuar tokën e MD-së në pronën “Vicianiumi” në Vushtrri, ka rifilluar punimet, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka shkruar se ndonëse ministria që ajo udhëheq ia kishte ndërprerë kontratën pasi pretendohej se është nënshkruar kundërligjshëm, dhe lënda ka shkuar në gjykatë, kompania sipas saj, nuk e ka respektuar këtë vendim.

“Kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike. Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet.

Ne jemi njoftuar që kompania ka paditur Ministrinë prandaj deri në një vendim të Gjykatës, kompania nuk guxon të rifillojë punimet”, ka shkruar ajo.

Tutje, ministrja Haxhiu i ka bërë thirrje kryetarit të komunës “ta mbrojë pronën publike dhe po ashtu policisë që ta zbatojë vendimin e Ministrisë”./Insajderi.com