Haxhiu: Mbështetja e Qeverisë dhe Ministrisë nuk do mungojë asnjëherë për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës

Haxhiu: Mbështetja e Qeverisë dhe Ministrisë nuk do mungojë asnjëherë për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës, shkruan Insajderi.

Haxhiu, ka thënë se deri tani ka munguar vullneti politik në adresimin e këtij problemi, duke shtuar se mbështetja e kësaj ministrie dhe Qeverisë nuk do mungojë asnjëherë për këtë Institut.

Sipas saj, dokumentimi i krimeve të luftës ka luajtur rol në kujtesën e njerëzve për ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe ka krijuar një klimë të re ku të drejtat e njeriut respektohen.

“Ky grup punues do të punojë edhe në atë se pse iniciativa të tilla kanë dështuar, dhe të mundohemi që të mos bëjmë gabime si përpara, e të fokusohemi në punën përpara”, ka thënë më tej Haxhiu.

Ajo shtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin që ka për qëllim heqjen e pengesave në punën e Institutit.

“Po ashtu do të ndahen buxhet për Prokurorinë Speciale që të rritet numri edhe për katër prokurorë të tjerë që të rritet puna tutje”, ka treguar Haxhiu.

Haxhiu mes tjerash bëri të ditur se ka pasur njerëz që në mënyrë vullnetare kanë kontribuar në mbledhjen e dëshmive për të dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës për të mos lënë që harresa ti merr këto dëshmi./Insajderi.com