Haxhiu mohon se i propozuari për mbikëqyrje të AKA-së është nip i Bislimit

Haxhiu mohon se i propozuari për mbikëqyrje të AKA-së është nip i Bislimit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mohuar që Gëzim Tosuni i cili pritet ta monitorojë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, është nip i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, transmeton Insajderi.

Haxhiu tha se e ka pyetur Bislimin lidhur me këtë çështje dhe se ky i fundit i ka thënë që në 50 vjetët e fundit ndoshta e ka takuar një herë Tosunin.

“Nuk e di që e ka nip. Këtë çështje besoj se do ta adresojë vetë Bislimi. Unë e kam pyetur dhe më tha që në 50 vitet e fundit ndoshta një herë e ka takuar. Nuk e ka nip, por diçka më të largët”, u shpreh ajo në Kanal10.

Qeveria e Kosovës ka miratuar me shumicë votash propozimin për emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mesin e të cilëve ndodhet edhe Gëzim Tosuni, për të cilin në media është raportuar se ka lidhje familjare me Besnik Bislimin./Insajderi.com