Funksionarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deklaroi të shtunën se nuk dihen ende emrat e ministrave të Qeverisë Kurti.
Tha se tash për tash janë të njohur vetëm emri i kryeministrit dhe presidentes.
“Ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministri dhe emri i presidentes, zotëri Albin Kurti kryeministër i ardhshëm dhe zonja Vjosa Osmani presidente e ardhshme. Nuk dihen ende emrat e zëvendëskryeministrave apo emrat e ministrave apo ministreve, dhe besoj që shumë shpejt ajo do bëhet publike”.
Për KosovaPress, Haxhiu, deklaroi se janë në rrugë për t’i pasur 61 deputetë që ta votojnë Qeverinë, kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 sosh.
“Tashmë ne jemi në komunikim me disa përfaqësues të komuniteteve jo shumicë në Kosovë. Ju e dini bashkëpunimin tonë që kemi pasur me Elbert Krasniqin nga IRDK, ai fatmirësisht ka fituar mandatin e deputetit që do jetë bashkë me ne, po ashtu në këtë rrugëtim është edhe Emilia Rexhepi. Në anën tjetër jemi edhe me disa deputetë duke komunikuar në mënyrë që të marrim mbështetjen për qeverinë e re”, tha ajo.
Fundin e marsit e sheh si një mundësi për t’u formuar Qeveria ‘Kurti 2”. /Insajderi.com