Ministrja e Drejtësisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhi, ka thënë se kjo parti nuk i ka siguruar ende 80 votat e nevojshme për ta zgjidhur presidentin, njofton Insajderi.
Sipas saj, VV-ja nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo moszgjedhja e presidentit e dërgon vendin në zgjedhje.
“Ka qenë e qartë. Ne nuk i kemi pasur 80 vota për Presidentin. Ata që po thonë se e paskemi provokuar situatën me ligjin sepse votat i keni pasur, janë të njëjtit që thonin se A.Veliu nuk është dashur të shkarkohet se ai veprim e provokoi rrëzimin e Qeverisë ani pse dihej që Qeveria s’ka pasur në plan të votohej, po kur u votua ka pasur plan të rrëzohet.
Ne nuk i duam zgjedhjet por moszgjedhja e Presidentit e dërgon vendin në zgjedhje prandaj përgjegjësia për këtë i mbetet atyre që e injorojnë vullnetin e qytetarëve dhe e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar Haxhiu në facebook.
Ajo ka shtuar se nuk kanë çfarë t’u bëjnë atyre që mendojnë që për votën e Presidentit, duhet dhënë, siç ka thënë, terminale doganore, poste diplomatike a tendera.
Ky reagim i Albulena Haxhiut vjen pasi mbrëmjen e së premtes, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur seancë plenare në Kuvendin e Kosovës për të ndryshuar Ligjin për Zgjedhje. Por, propozimi për ndryshimin e këtij ligji nuk ka arritur të kalojë në shqyrtim të parë. Pas mbajtjes së kësaj seance, nga VV-ja deklaruan se do të mbahet seanca për presidentin, nëse ka vullnet të deputetëve që të qëndrojnë në sallë. Madje, ishte vetë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila konfirmoi se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit./Insajderi.com