Haxhiu paralajmëron padi për shpifje ndaj RTK-së

Haxhiu paralajmëron padi për shpifje ndaj RTK-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Radio Televizionit të Kosovës dhe autores së artiukullit “Ministrja Haxhiu shpërblen prokuroren që e arrestoi Haki Rugovën”, njofton Insajderi.

Sipas Haxhiut, ky lajm është i pavërtetë, i paargumentuar dhe për bazë ka paragjykimin e trillimin.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se në Kosovë askush nuk mund të ndalojë të drejtën e shprehjes, por kjo “nuk nënkupton asesi cenimin dhe sulmin pa bazë ndaj një personi, kushdo qoftë ai”.

“Me qëllim zbardhjen edhe më shumë të kësaj të pavërtete, mbështetjen për median e vërtetë dhe raportimin korrekt, unë do të dorëzojë padi për shpifje ndaj autores së artikullit dhe mediumit që e ka publikuar këtë të pavërtetë. Ky ishte opsioni i fundit si përgjigje ndaj këtij artikulli të rremë dhe kësaj mendësie të sulmit të pabazuar”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Insajderi pak më parë ka kontaktuar edhe me Prokuroren në fjalë, Valbona Disha-Haxhosaj, e cila ka mohuar raportimet e RTK-së se është “shpërblyer” me postin e anëtares në Komisionin për provimin e Jurispodencës, për shkak të arrestimit të kryetarit të Istogut, Haki Rugova./Insajderi.com