Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se në seancën e së shtunës së Kuvendit të Kosovës do të kuptohet nëse janë apo jo votat e mjaftueshme për ta zgjidhur Vjosa Osmanin presidente.
Ajo në një përgjigje për Insajderi-n ka theksuar se për t’i shmangur zgjedhjet, opozita duhet të marrë pjesë në seancë.
“Besoj që sot në seancën për zgjedhjen e Presidentit dihet saktësisht nëse janë apo jo numrat për zgjedhjen e Presidentit. Në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje, opozita do të duhej të jetë e pranishme në seancë”, ka thënë Haxhiu.
Seanca për Presidentin pritet të mbahet të shtunën pasdite.
Kështu i thanë Gazetës Online Insajderi, burime brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
LVV-ja ka dy kandidatë për president: Vjosa Osmanin dhe Nasuf Bejtën.
Për të pasur kuorum duhet të qëndrojnë në sallë 80 deputetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka marrë vendim që të jetë prezent në Kuvend gjatë kohës sa votohet Presidenti./Insajderi.com