Haxhiu për progresin në luftën kundër korrupsionit: Brenda mandatit synojmë t’i afrohemi mesatares evropiane

Haxhiu për progresin në luftën kundër korrupsionit: Brenda mandatit synojmë t’i afrohemi mesatares evropiane

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas progresit të Kosovës në luftën kundër korrupsionit duke u renditur në vendin e 87-të nga 180 vende, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, ajo theksoi se kanë synim që brenda mandatit, Kosova “të arrijë mesataren globale dhe t’i afrohet mesatares evropiane”.

“Përkushtimi ynë në luftën kundër korrupsionit, përveç kompletimit të pakos ligjore Anti-korrupsion, përkthehet gjithashtu përmes realizimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, Vettingut në drejtësi, jetësimit të Byrosë Shtetërore për verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme por edhe me mbështetjen buxhetore për sistemin e drejtësisë”, shkroi ndër tjerash ajo.

Ndryshe, ky reagim erdhi pasi që Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit duke marrë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Këtë vit Kosova është radhitur e 87-ta, duke shënuar përparim krahasuar me vitin e kaluar kur ishte e 104-ta me 36 pikë.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.

Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri./Insajderi.com