Haxhiu priti në takim Havollin ku diskutuan për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit

Haxhiu priti në takim Havollin ku diskutuan për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutoi për hartimin dhe kompletimin e strategjisë kundër korrupsionit, me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, njofton Insajderi.

Takimi i së martës kishte për qëllim informimin dhe diskutimin e nismave ligjore lidhur me fushat brenda mandatit të Agjencisë Kundër Korrupsion si dhe nevojën për bashkëpunim dhe adresim të çështjeve kontestuese.

“Përveç çështjeve që kanë të bëjnë më vështirësitë e zbatimit të legjislacionit brenda kompetencave të Agjencisë Kundër Korrupsion, në takim gjithashtu u diskutua për hartimin dhe kompletimin e strategjisë kundër korrupsionit, për nismat ligjore që kanë të bëjnë me mandatin dhe fushën e Agjencisë Kundër Korrupsion, për rregullativen ligjore për sinjalizuesit si dhe tema të tjera në interesin e përbashkët të të dyja institucioneve”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua për evitimin e konflikteve eventuale me ligje të tjera.

Të dy palët kanë shprehur vullnetin për të intensifikuar takimet dhe bashkëpunimin në veçanti në çështjet e interesit të përbashkët institucional. /Insajderi.com