
Deputetja nga koalicioni AAK-PSD, Teuta Haxhiu, ka propozuar të shqyrtohet gjendja materiale e pensionistëve kontributdhënës, të cilëve nuk u njihet stazhi i punës që nga paslufta, por vetëm stazhi i punës para vitit 1999.
Derisa mori fjalën në seancën e sotme plenare, Haxhiu e ka quajtur diskriminues udhëzimin administrative, i cili parasheh që pensionistët mund ta marrin këtë pension vetëm pasi të kenë mbushur 15 vjet stash pune, para datës 15 janar të vitit 1999.
Haxhiu e konsideron këtë si “mbështetje sociale” dhe jo më shumë.
“Për çështjen e pensioneve kontributdhënëse kam marrë shumë herë sugjerime dhe kërkesa. Pensionistët kontributdhënës vazhdojnë të kërkojnë nga autoritet vendore dhe ndërkombëtare të drejtën e tyre dhe asgjë, ende, nuk ka përfunduar në favor të tyre. Qeveria e Kosovës ua ka dhënë pensionin bazë, por ky pension konsideroj është një mbështetje sociale për këtë kategori”, theksoi Haxhiu.
Haxhiu propozoi që secili t’i njihet stazhi i punës dhe secili të paguhet për aq kontribut sa ka dhënë.
“Është mirë që secili të paguhet për vitet e punës. Pra, për aq vite sa kanë punuar, për aq vite të paguhen. Në rezolutën që do ta paraqes sot, jam i sigurt që të gjitha grupet parlamentare kanë ndjeshmëri për këta pensionistë. Me shumë sinqeritet pres nga të gjitha grupet parlamentare, që ta bëjmë një zgjidhje”, tha ajo. /Insajderi.com/