Haxhiu reagon pas arrestimit të zyrtarëve në Telekom

Haxhiu reagon pas arrestimit të zyrtarëve në Telekom

Pas arrestimi të katër personave që dyshohen për keqpërdorime në Telekom, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përcjell Insajderi.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se çfarëdo veprimi i policisë dhe prokurorisë me qëllim të zbardhjes së veprimeve të dyshimta korruptive në ndërmarrjet publike por jo vetëm, është i mirëseardhur.

“Secili dyshim për kontratë të dëmshme duhet të adresohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete e serioze në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

“Vetëm kështu zhvillohet e përparohet vendi. Ne do të jemi në mbështetje të kërkesave të institucioneve të drejtësisë në fuqizimin e kapaciteteve të tyre”, është shprehur Haxhiu.

Kujtojmë se, të martën janë arrestuar dy ish-drejtorë dhe dy ish-zyrtarë të Telekomit të Kosovës të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ky aksion është kryer nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës./Insajderi.com