Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për burgim me 10 vjet ndaj Zoran Vukotiq, për dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë gjatë luftës, njofton Insajderi.
Haxhiu tha se lajmin për burgimin e Vukotiqit e ka mirëpritur dhe shton se është një lajm i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha tutje se drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohet çdo ditë.
“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotic për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ajo.
“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, shtoi më tej ministrja Haxhiu.
Dënimi i shqiptuar ndaj Vukotiqit është rasti i parë që dikush u dënua për një krim të tillë në Kosovë nga Gjykatat vendore. /Insajderi.com