Haxhiu: Sot fillon zyrtarisht një nga proceset më të rëndësishme të drejtësisë, vettingu

Haxhiu: Sot fillon zyrtarisht një nga proceset më të rëndësishme të drejtësisë, vettingu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sot zyrtarisht po fillon një nga proceset më të rëndësishme në drejtësi, ai i vettingut, njofton Insajderi.

Në takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vettingut që është mbajtur sot, Haxhiu tha se Qeveria është e përkushtuar në realizimin e plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu siç u garantohen me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës.

“Fatkeqësisht, besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial nuk është dëshmuar të jetë në nivelin e pritshmërive. Kjo nuk rëndon vetëm sistemin gjyqësor e prokurorial, por edhe vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës e cila është e përkushtuar, me tërë fuqinë e saj, ndaj realizimit të plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu si u janë garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, shtoi ministrja Haxhiu.

Këtë takim, ministrja e cilësoi si simbol të nisjes së ndryshimeve pozitive brenda sistemit të drejtësisë, dhe inkurajoi të gjithë që “të përkushtohemi më tërë kapacitetet që të lëmë trashëgimi të duhur atyre që vijnë pas nesh, e po ashtu të kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”.

Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarët e Grupit Punues, njëkohësisht përfaqësues nga institucionet e drejtësisë – Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, institucionet tjera, organizatat e shoqërive civile dhe ekspertë të pavarur të cilët kanë shprehur paraprakisht gatishmërinë për të kontribuuar në këtë drejtim. /Insajderi.com