Haxhiu thotë se për futjen e forcave serbe në Karaçevë duhet dhënë përgjegjësi Qeveria

Haxhiu thotë se për futjen e forcave serbe në Karaçevë duhet dhënë përgjegjësi Qeveria

Lidhur me rastin e djeshëm në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ku janë parë duke patrulluar forca ushtarake serbe, ka reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, Albulena Haxhiu, njofton Insajderi.

Haxhiu ka thënë se futja e xhandarmërisë së Serbisë brenda territorit të Kosovës është konsekuencë e qasjes së politikës sonë ndaj Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se qasja e Kosovës karshi Serbisë vazhdon të jetë “negoico pa kushte, lësho pe në sovranitet dhe si rezultat bëje prap të nevojshëm negocimin”, logjikë kjo që sipas Haxhiut, nuk është shtetformuese, por është logjikë shtetrrënuese.

“Qeveria ilegjitime po vazhdon avazin e vjetër, por tash në formë edhe më të rëndë. Teksa më herët nuk kishte ndonjë sjellje dinjitoze e të barabartë me Serbinë këta shkuan edhe më larg, jo vetëm që nuk këmbngulin karshi saj asgjë, por e hoqën vendimin e qeverisë Kurti për reciprocitet me Serbinë si parim ndërkombëtar i marrëdhënieve mes shtetesh si dhe hoqën dorë nga anëtarësimi në organizma ndërkombëtar vetëm për ta kënaqur Serbinë!”, është shprehur më tej ajo.

Sipas Haxhiut, Republika e Kosovës është zhveshur nga Qeveria aktuale.

“Këta e zhveshen Republikën e Kosovës, dhe kur kjo ndodh t’i je në tryezë bisedimesh teksa gjendja në terren cenohet. Kaq mund të flasim për logjikën shtetndërtuese të këtyre”.

“Hapi i parë i secilës marrëdhënie bilaterale është shprehja e vullnetit për t’u dakorduar. Në rrethana kur ndodh kjo çfarë ngjau dje me territorin e Republikës së Kosovës, më saktësisht në Karaçevë, është dëshmi për të kundërtën. Andaj, përveçse kjo qeveri ilegale, ilegjitime duhet të shkojë së bashku me të duhet të kthehet edhe reciprociteti. Këta që kanë hequr dorë nga Republika e janë vërsulur në pazare nuk mund ta mbrojnë Republikën, andaj dhe askush nuk befasohet nga ta. Kjo që ka ndodhur dje në Karaçevë është e papranueshme dhe kjo qeveri duhet të jep përgjegjësi”, ka përfunduar Haxhiu. /Insajderi.com/