Haxhiu: VV nuk mundësoi qasjen në kontratën me Pfizer, kjo shton dyshimet për keqpërdorim

Haxhiu: VV nuk mundësoi qasjen në kontratën me Pfizer, kjo shton dyshimet për keqpërdorim

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili njëherësh është anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, ka hedhur dyshime për keqpërdorime nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për kontratën me kompaninë Pfizer për vaksinat, njofton Insajderi.

Kjo pasi sipas tij, në mbledhjen e sotme të këtij komisioni ka propozuar që anëtarët te kenë qasje në kontratën e lartëpërmendur, por siç ka thënë ai, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër duke e pamundësuar një gjë të tillë.

“Kosova është vendi i fundit në Evropë në procesin e vaksinimit dhe deri me sot ka pranuar vetëm vaksina të dhuruara donacion nga COVAX, BE dhe vendet mike.Jo transparenca e Qeverisë së Kosovës dhe vota kundër e deputetve të LVV-së, në Komision, shton dyshimet për keqpërdorime dhe për vërtetësinë e deklaratave të Qeverisë dhe MSH”.

“Përse nuk u lejohet anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi qasja në kontratën e lidhur me Pfizer?Çfarë po fshihet pas kësaj kontrate? A është ky edhe një mashtrim i radhës?”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Kosova ka arritur marrëveshje me “Pfizer” për furnizim me vaksina. Mbi 1 milionë e 200 mijë do të arrijnë deri në fund të këtij viti, sipas Minsitrisë së Shëndetësisë./Insajderi.com