“Vendimi për ndryshimin e prokurorit në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj është i duhur dhe i drejtë”.
Kështu e ka cilësuar ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi që të ndërrojë prokurorin në rastin e vrasjes së të riut nga Deçani, Agonis Tetaj, përcjell insajderi.
Ajo ka theksuar se aktakuza e ngritur nga prokurorja e parë ka qenë shumë profesionale, por që sipas saj mbetet që të hetohet e vërteta se pse lënda ishte transferuar nga Gjykata në Pejë në atë në Gjilan.
“Vendimi për ndryshimin e prokurorit në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj është i duhur dhe i drejtë. Në aktakuzën e ngritur nga prokurorja e parë, Sahide Gashi, e cila ishte ngarkuar për hetimin e vrasjes së të ndjerit Agonis Tetaj, dhe e cila më është dërguar nga babai i të ndjerit, thuhet se ‘i pandehuri me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj’.
Aktakuza 15 faqëshe e prokurores Gashi është shumë profesionale. Mbeten për tu hetuar arsyet e vërteta se si dhe pse prokurori Haxhi Dërguti, kishte transferuar lëndën nga Peja në Gjilan!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo ka komentuar edhe fotografinë e cila ka qarkulluar në media ku shihet avokati i të pandehurit, Besnik Berisha ulur në një kafiteri me prokurorin e rastit, Agron Uka.
Sipas Haxhiut, ajo fotografi është njollë e madhe mbi sistemin e drejtësisë.
“Duke pasur parasysh që prokurorja Gashi, që nga fillimi ka qenë duke e hetuar rastin dhe ka ngritur aktakuzën kundrejt të pandehurit, kjo lëndë duhet t’i kthehet asaj pasi që ajo e ka nisur dhe do ta përfundonte këtë lëndë në mënyrë profesionale. Pikërisht për shkak profesionalizmit të saj, duket hapur që qëllimshëm ky rast i ishte marrë nga kompetenca!”, ka përfunduar ajo./Insajderi.com