Haziri apelon që vaksinimi të jetë 24/7

Haziri apelon që vaksinimi të jetë 24/7

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar te Qeveria e Kosovës që orari për vaksinim të jetë në formatin 24 orë në shtatë ditë të javës.

Sipas tij, ky proces duhet të organizohet me dinamikë të re dhe më intensive, me mobilizim më të madh shtetëror.

“Gjilani ka mundësi për të organizuar edhe lokacionin edhe kapacitetet, mirëpo duhet që qeveria këtë shërbim ta bart në Komuna si kompetencë. Ne nga palestra e sporteve, ku është duke ndodhur vaksinimi tani, mund të aktivizoj edhe tri qendra tjera për të vaksinuar sa më shumë qytetarë”, ka theksuar Haziri.

Këto deklarata i pari i Gjilanit i ka bërë pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ku ka vlerësuar se “gjendja është e tendosur dhe kronikë e zezë, për shkak se janë aktive 1063 raste me Covid-19”.

“Ky është numri më i madh i të infektuarve në Komunën e Gjilanit dhe deri më tani. 150 qytetarë kanë humbur jetën. Kjo është gjendje shumë e rëndë dhe kërkon bashkëpunim të përgjithshëm, në respektim të masave mbrojtëse dhe vaksinim. Në regjistrin e vaksinimit konfirmohet se deri mbrëmë janë dhënë 34475 vaksina.”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai është shprehur se vaksinimi është e vetmja mënyrë për rritje të imunitetit kolektiv.

“Prandaj apeloj që të vaksinoheni sa më shumë, sepse kështu mund të tejkalojmë më lehtë infeksionin. Vetëm me vaksinim, mund ta ruajmë jetën, familjen por edhe vendin e punës”.

Haziri po ashtu ka apeluar qytetarët që masat anti kovid të zbatohen nga të gjithë në përpikëri, sipas urdhëresës së qeverisë, që parasheh edhe anulimin e ahengjeve, dasmave dhe organizimeve të tilla, duke bërë kështu që edhe festivalli “Mish Mish”, i paraparë për të shtunën në bazë të kalendarit për mërgatën, shtyhet për një datë tjetër, për shkak të kushteve dhe masave të reja që janë publikuar nga niveli qendror.

Për ndryshe, në bazë të statistikave të përgjithshme raste aktive me Covid-19 janë 1063 raste, të shëruar janë 6539 raste, fatkeqësisht jetën e kanë humbur 150 qytetarë, kurse numri total i rasteve pozitive deri më sot ishin 7753 raste, ndërsa të hospitalizuar janë 72 pacient me covid./Insajderi.com