Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, ka deklaruar se Gjykata Speciale është institucion i Kosovës dhe fakti se lokacioni është në një shtet evropian, është vetëm për shkak se si shtet kemi dështuar t’i gjykojmë nga brenda krimet e presupozuara.
Për Hazirin, Haga është një vend i specializuar për gjykime të tilla dhe se ne vetëm ia kemi dhënë një gjyqtare të huaj ta lexoj verdiktin final.
“Gjykata Speciale është institucion i Kosovës, por për shkak të probleme në Kosovë është zgjedhur për të qenë në një vend neutral, por që mbetet partner i Kosovës. Mes Kosovës e Serbisë, është zgjedh Haga si vend i specializuar për këto probleme dhe ne i kemi dhënë me e lexu verdiktin një gjyqtare të huaj që fol në emër të Kosovës.
Në emër të Kosovës jepet drejtësia. Ka dështu sistemi me vendos drejtësi nga brenda. Ne i kemi besu formalisht institucionin tonë, partnerëve ndërkombëtar. Mosbesimi tek ne ka qenë më i madh”, tha Haziri.
Nënkryetari i LDK-së është ndalur edhe tek çështja e fundit që ka të bëjë me protestën e organizuar nën slloganin “Jo në emrin tim”, duke thënë se është kontradiktore që vetë ata që e kanë votuar, tani po dalin në protesta për ta kundërshtuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja parti që nuk ka reaguar ndaj dënimit të shqiptuar javën e kaluar kundër Sali Mustafës.
Duke folur rreth kësaj teme, Haziri ka deklaruar se si LDK, nuk kanë se çka të deklarohen, kur vet gjykata është deklaruar me dënimin e dhënë.
“Gjykata ka vendosur, ka folur, ne nuk kemi çka me dalë me deklaratë. Asnjë vendim të gjykatës ne nuk e kemi kontestu si LDK. Tani duhet të shfrytëzohet shkalla e parë dhe e dytë e ankesave, këto janë rrugë ligjore. Ne nuk kemi çka me diskutu emra të përvetshëm, e sidomos kur flitet për vrasje ndaj shqiptarëve”, është shprehur Haziri.
Tutje, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, thekson se arsyeja se pse Vetëvendosja nuk e ka votuar Gjykatën Speciale, është për faktin se ajo është votuar nga PDK-ja e LDK-ja, e që për Kurtin ishte jashtë logjikës të vepronte njëjtë sikur partitë në pushtet.