“Jam mësuar që idealet dhe qëllimet politike nuk guxojnë të shkelen për motive personale dhe interesa të vogla”.
Kështu është shprehur Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi kjo e fundit zyrtarizoi të shtunën rikandidimin e tij për kryetar të Gjilanit, njofton Insajderi.
“Për fund, sa herë ka qenë nevoja, vendimet e mija i kam marrë duke e tejkaluar familjen time biologjike, në interes të familjes time politike sepse jam mësuar që idealet dhe qëllimet politike nuk guxojnë të shkelen për motive personale dhe interesa të vogla. Ju falëmnderit shumë. Do të mbetem gjithmonë, Luta i juaj”, ka shkruar i pari i Gjilanit.
Ai tutje ka falënderuar strukturat e partisë së tij “për besimin që t’i prijë Gjilanit tonë edhe për një mandat qeverisës”.
Po ashtu ka falënderuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku “për vizitën e sotme dhe mbështetjen e madhe”.
“Bashkimi dhe uniteti është ajo që LDK’në në Gjilan e identifikon dhe sa herë që kemi qenë bashkë, fitorja ka qenë e madhe – në formë plebishitare, për ta bërë Gjilanin tonë vend të jetueshëm e me dinjitet, ashtu sic edhe e kemi bërë dhe jam krenar për këtë. Të bashkuar, duke e ruajtur njëri-tjetrin si familje, ne do të arrijmë ta ruajmë shtëpinë tonë politike”.
“Përpos pritjes së bashkatdhetarëve të cilët vijnë në familjet e tyre, ne do të punojmë me cdo qytetar për të dëgjuar për t’i pranuar të gjitha ato që na i thonë në sy.
Këto gjashtë javë të debatit që është organizuar, ne e kemi marrë mesazhin e qartë, ne do të punojmë që ta kthejmë ne vepër e në punë me përgjegjësi për t’i realizuar objektivat tona”, ka shkruar ndër të tjera Haziri.
Ai ka premtuar se Gjilani do të kthehet në një qendër politike administrative universitare, edhe në kuptimin urban.
“Këto katër vjet do të marrë pamje krejt tjetër dhe ky nuk është vetëm vizion i imi, por edhe i të gjithë juve që keni marrë pjesë në debat.
Përpos rikthimit të madh të LDK-së, kam punuar që të ndërtohet një gjeneratë e re e politikanëve, një brez i ri që fiton vetë dhe fitoren nuk ua jep dikush tjetër. Dekada e ardhshme Gjilanin e pret me një gjeneratë të artë, e cila është e gatshme t’i fitojë zgjedhjet vetë”.
Lutfi Haziri synon që të marrë edhe mandatin e pestë qeverisës me Gjilanin në zgjedhjet e 17 tetorit./Insajderi.com