Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se e tërë kryesia e kësaj partie është në dorëheqje, njofton Insajderi.
Haziri nuk pranoi të përgjigjet nëse do ta pasojë Isa Mustafën, pasi ky i fundit njoftoi për dorëheqjen e tij nga pozita e të parit të LDK-së.
“Nuk ka të bëjë me emra. Kryetari e tha, ne jemi kryesi në dorëheqje”, u shpreh ai para medieve, kur është pyetur nëse do të jetë ai kryetari i ri i LDK-së.
Isa Mustafa në mbledhjen e mbajtur sot (e hënë) të kryesisë së LDK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj partie pas 10 vjetësh.
Dorëheqja e tij erdhi pas humbjes së thellë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.
LDK-ja ka ngecur si partia e tretë me përgjysmim të elektoratit, duke fituar vetëm 13.08%./Insajderi.com