Kalimi i Vjosa Osmani në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk e dëmton Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë në të cilën dikur Osmani bënte pjesë, njofton Insajderi.
Kështu ka deklaruar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se Osmani e ka humbur besimin në këtë subjekt politik.
“Tani, zonja Osmani e humbi besimin në LDK, duke u thirrur në një vendim të Këshillit të Përgjithshëm, dhe kjo shkaktoi dhe mosbesim dhe tërheqje nga strukturat, duke e gjet veten në VV. A s’është kjo thyerje e ideologjisë?
Edhe të tjerët që kanë dalë nga LDK-ja në procese politike, nuk dëmtohet LDK-ja, por dëmtohen vet ata”, ka thënë Haziri.
Duke folur për zgjedhjet e 14 shkurtit, nënkryetari i LDK-së, u shpreh çdo proces zgjedhor ka vështirësi dhe sfida, por ajo që e nënkupton vështirësi për LDK-në është të qenit në qeverisje.
“Pas rezultateve të fundit ne kishim koalicion me VV dhe arritëm më pas ta bëjmë një koalicion me pakicat, deri te ajo që Kushtetuesja mori vendim. Ne s’kishim alternativë tjetër, qeverisja e Hotit erdhi si opsion i vetëm. Ne përkundër Kurtit, arritëm ta ndërtojmë qeverinë.
Ne nuk ndërtuam koalicion me PDK-në, por me partitë e vogla që përfshinë minoritetet, ky është dallim në substancë. Tashmë jemi të njohur me qëndrimet e Kurtit, sepse me LDK-në deri më 6 tetor kishte një partner të besueshëm”, ka thënë Haziri për Euronews Albania./Insajderi.com