Haziri: Kompromisi i Isa Mustafës, kthimi i kryeparlamentarit për VV-në pas një viti

Haziri: Kompromisi i Isa Mustafës, kthimi i kryeparlamentarit për VV-në pas një viti

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, ka qenë i gatshëm t’ia rikthejë Lëvizjes Vetëvendosje pozitën e kryeparlamentarit, një vit pas zgjedhjes së Presidentit sipas propozimit të LDK-së.

Haziri, në emisionin Zona B të Klan Kosovës, ka deklaruar se nuk ka munguar vullneti për kompromis nga radhët e LDK-së në raport me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë negociatave për koalicion qeverisës me LVV-në.

“Kompromisi i Isa Mustafës ka qenë që Kryetari i Kuvendit është vetëm një vit deri në zgjedhjen e Presidentit, sepse ne pajtohemi që ai të kthehet tek subjekti fitues i zgjedhjeve. Në atë moment ne do ta merrnim Presidentin dhe do të ishim të gatshëm ta rregullonim raportin 2+1 në pozitat e larta udhëheqëse”, ka deklaruar Haziri.

Pozita e kryetarit të kuvendit, vazhdon të mbetet çështja që po e pamundëson arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Edhe pse këtë pozitë tashmë e ka marrë nën drejtim deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca gjatë seancës konstituive të kuvendit më 26 dhjetor, 2019, është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vazhdon të insistojë se pjesë e marrëveshjes duhet të jetë edhe kjo pozitë.

Sipas LDK-së, në këtë fazë, Vetëvendosje duhet ta ketë pozitën e kryeministrit, kurse LDK atë të kryetarit të Kuvendit.