Haziri: Kritikat ndaj Qeverisë Hoti kanë pasur qëllime të mira, pandemia kërkon agresivitet në menaxhim

Haziri: Kritikat ndaj Qeverisë Hoti kanë pasur qëllime të mira, pandemia kërkon agresivitet në menaxhim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është deklaruar rreth kritikave të tij ndaj Qeverisë me në krye bashkëpartiakun e tij, Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Haziri thotë se këto Kritika kanë qenë me qëllim të mirë, duke shprehur se ka kërkuar reagim më agresiv në menaxhimin e pandemisë, gjë që sipas Hazirit nuk mund të menaxhohet me politika të buta çfarë bën kryeministri Hoti.

Haziri i cili ka qenë shumë i ashpër ndaj Qeverisë lidhur me menaxhimin e pandemisë, madje sipas medieve ai e kishte vlerësuar “katastrofal” ditë më parë punën e Qeverisë në menaxhimin e pandemisë, ka thënë se aktivizimi i Planit Kombëtar nga Qeveria, është ajo çfarë ai ka kërkuar.

“Nuk është kritikë dashakeqe, është kritikë qëllimmirë, sepse z. Hoti edhe si politikan edhe si njeri aplikon qeverisje të butë  që  është vlerë e tij, dhe këtë e ka marrë nga LDK. Pandemia kërkon agresivitet në menaxhim. Më vjen mirë që Qeveria ka marrë vendim për aktivizimin e Planit Kombëtarë, nuk mundet pandemia me menaxhuar vetëm me Ligjin e Infeksioneve sepse është i ngushtë dhe i pa mjaftueshëm me i zgjidhë problemet”, është shprehur Haziri.

Nënkryetari i LDK-së, ka thënë se është kundër ndalimit të qarkullimit të qytetarëve, pasi sipas tij, edhe modeli që ka përdor Qeveria Kurti ka qenë i pamjaftueshëm dhe i dështuar.

“Është provuar me modelin e Qeverisë Kurti me menaxhuar pandeminë, por edhe ai ka qenë i pamjaftueshëm dhe i dështuar. Mekanizimi kombëtar ka me dhënë shumë hapësirë, ka mi dhënë oksigjen spitaleve institucioneve të emergjencave civile për menaxhuar dhe me reaguar ndaj virusit”.

“Unë jam kundër qarkullimit të lëvizjes së njerëzve, ka nevojë kontroll më shumë të ketë mekanizma të emergjencave civile, inspektor komunal, zyrtarë komunal, inspektorët sanitarë, ekipet e mjekëve dhe policisë me qenë ma prezentë dhe nuk ka nevojë me blloku ekonominë”, është shprehur ai. /Insajderi.com/