Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar pas takimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të bisedimeve në Bruksel, transmeton Insajderi.
Haziri thotë se Kurti nuk po negocion, por thjesht po bisedon në takimet e tij në Bruksel, mbi dialogun Kosovë-Serbi.
“Po i mbahet qëndrimit të shprehur në Prishtinë që takon, bisedon por nuk është i gatshëm ende për të negociuar dhe takimi sot e konfirmoi”, u shpreh Haziri.
Ai tha se dialogu duhet të vihet në vijë dhe se deri tani palët nuk po diskutojnë për substancën dhe përmbajtjen e dialogut, por kanë ngecur ende te formati i tij.
“Ka biseda lidhur me formatin dhe agjendën për dialog, për jo substancë. Palët janë ende në nivele populiste, sesa duke u marrë me substancën e problemit”, tha Haziri për Euroneës Albania.
Albin Kurti sot në takimin e tij me Vuçiq në Bruksel, ka dalë me një dokument me gjashtë pika, për të cilin Haziri tha se është përtej agjendës së pritur në Kosovë.
Ai sqaroi se te ky dokument kërkohet që Serbia të përballet me të kaluarën e saj, në mënyrë që të ndërtohet procesi për të ardhmen. Por, për nënkryetarin e LDK-së, nëse vazhdohet të diskutohet në këtë frymë në Bruksel, atëherë po shkohet në një drejtim që nuk ka fund. /Insajderi.com