Haziri: LDK fillimisht duhet të luftojë me veten, pastaj me rivalët

Haziri: LDK fillimisht duhet të luftojë me veten, pastaj me rivalët

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaroi se partia prej nga ai vjen së pari duhet të përballet me veten e pastaj me rivalët politikë, njofton Insajderi.

Sipas tij, faji për rrëzimin e Qeverisë Hoti është edhe i tre deputetëve të LDK-së që nuk e kanë votuar këtë qeveri e që sipas tij, pa këto vota Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë.

“Problemi i shkallës së parë është brenda LDK-së. LDK është në garë me vetëveten e nëse arrinë që ta kalojë shkallën e parë atëherë duhet të dalë e të përballet me rivalët”, tha Haziri.

Ndërsa, lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, ai tha se kanë qenë të pritshme nga secili subjekt politik.

“Për shkak të Presidentit, i kemi pritur zgjedhjet por jo ndoshta në janar”, tha Haziri në “Debat Plus”.

I pyetur nëse LDK-ja ka vendosur për emrin e kandidatit për kryeministër, nënkryetari Haziri tha se është bërë vlerësimi i punës së qeverisë, ndërsa nuk përjashtoi kandidimin e Avdullah Hotit për kryeministër./Insajderi.com