Haziri: Mos shkoni në ngushëllime, respektoni masat

Haziri: Mos shkoni në ngushëllime, respektoni masat

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ritheksuar se vizitat dhe pritjet për ngushëllime janë të ndaluara, njofton Insajderi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë të infektohen familjarët e tyre dhe fqinjët.

Haziri u ka thënë qytetarëve të respektojnë masat.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se “përkundër që javën e fundit kemi ulje të rasteve dhe më shumë të shëruar, situata në Gjilan vazhdon të jetë alarmante”.

Tutje, Haziri ka vazhduar duke i’u  lutur që “të zbatohen rekomandimet sepse bartja e maskës, higjiena dhe distanca, janë masat e vetme që nuk lejojnë bartjen e infeksionit”.

“Vizitat dhe pritjet për ngushëllime janë të ndaluara. Përkundër traditës dhe dhimbjes, mos lejoni që të infektohen fqinjët dhe familjarët”.

Ai ka treguar se në Gjilan që nga fillimi i pandemisë 73 qytetarë kanë humbur betejën me COVID-19, ndërsa janë 374 raste aktive, janë 65 në hospitalizim e 143 mostra në pritje të rezultateve./Insajderi.com