Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se nga fillimi i procesit të vaksinimit deri më tani janë imunizuar 12 mijë gjilanas – ndër ta edhe ai bashkë me Shtabin e Emergjencave, të cilët morën dozën e vaksinës AstraZeneca, transmeton Insajderi.
Këtë Haziri e bëri të ditur pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të vaksinohen dhe të mos u besojnë, siç i quan ai, teorive konspirative, rreth llojeve të vaksinës.
“Unë dhe anëtarët e Komitetit, jemi të parët që jemi vaksinuar me AstraZeneca. Është vaksinë e sigurtë dhe mos iu besoni teorive konspirative. Deri tani mbi 12 mijë gjilanas janë vaksinuar dhe i ftoj edhe të tjerët që të aplikojnë dhe të shkojnë për ta marrë vaksinën. Është e vetmja mënyrë për t’u mbrojur nga ky virus”, ka thënë Haziri, raporton KP.
Haziri bëri të ditur se deri numri i qytetarëve që kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19 është 147, derisa e fundit ishte një 81-vjeçare e cila e humbi betejën ditën e djeshme në QKUK. /Insajderi.com