
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, të mërkurën e 10 marsit do ta shpallë zyrtarisht kandidaturën për kryetar të kësaj partie në nivel qendror, njofton Insajderi.
Lajmin e kanë bërë të ditur nga LDK-ja në Gjilan, përmes një komunikate për media ku bëhet e ditur se shpallja e kandidaturës do të bëhet në orën 13:00.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, u radhit partia e tretë me 12,64% apo 110 mijë e 978 vota. Menjëherë pas këtij rezultati, Isa Mustafa njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj partie dhe se së shpejti do të thërras Kuvendin e LDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri.
E, Kuvendi i LDK-së u caktua të mbahet këtë të diele më datë 14 mars 2021. Ndonëse në media u përfolën shumë emra si kandidatë për kryetar të partisë së formuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe intelektualë të tjerë, aktualisht kandidaturën e tyre e kanë konfirmuar vetëm Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Anton Quni./Insajderi.com