Haziri për Kurtin: Do ta ketë të vështirë të gjejë përkrahës politikë për dialogun

Haziri për Kurtin: Do ta ketë të vështirë të gjejë përkrahës politikë për dialogun

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do ta ketë të vështirë të gjejë përkrahës politikë në Kosovë në raport me dialogun, pasi sipas tij, i njëjti nuk ka dhënë shembuj të mirë në të kaluarën e afërt në këtë proces, njofton Insajderi.

Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk guxon të lejojë që të hyjë në një proces politik pa pasur një program të qartë.

“Sa i përket LDK-së, ne nuk e kemi diskutuar, por mendojmë se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Por, kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë dhënë shembuj të mirë në raport me dialogun, prandaj konsideroj se do ta ketë të vështirë të gjejë mbështetës politik në raport me dialogun”, ka theksuar Haziri në Kanal 10.

Ndërsa, lidhur me publikimin e një “non paper”-i të hënën në media, ku flitet për njohjen mes Kosovës dhe Serbisë, nënkryetari i LDK-së ka pohuar se nuk është risi.

Sipas tij, edhe në të kaluarën kanë qarkulluar dokumente të tilla në prag të fillimit të bisedimeve.

“Publikimi i këtij lloji të dokumenteve nuk është disa e re, zakonisht para fillimit të bisedimeve dhe iniciativave të reja qarkullojnë dokumente të tilla, ka pasur edhe më herët”, ka thënë tutje Haziri./Insajderi.com