Haziri-qeverisë: Nëse nuk e trajtoni me seriozitet dialogun, vjen politika e tipit “merre ose leje”

Haziri-qeverisë: Nëse nuk e trajtoni me seriozitet dialogun, vjen politika e tipit “merre ose leje”

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka porositur Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, që ta trajtojë me seriozitet dialogun me Serbinë, ndryshe “rrezikohet të shkohet në një hap tjetër, që është konferencë ndërkombëtare, ku vjen politika e karrotës dhe shkopit e tipit ‘merre ose leje’”.

Sipas tij, do të varet shumë nga sjellja e delegacionit Kosovar në bisedimet që pritet të fillojnë gjatë qershorit, përcjell Insajderi.

“Qeveria e Kosovës nuk guxon të hyjë në negociata me mentalitet të blerjes së kohës e të shtyrjes, domethënë me mentalitet të Serbisë.

Duhet të konfirmohet konstruktiviteti, duhet të shkohet me shpirt ofansiv dhe sa më shpejt të ndërtohet ambient për ta përmbyllur procesin”, ka shkruar Haziri në profilin e tij në Facebook.

Ai tutje ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së në dialog.

“LDK do të ketë rol veç në Kuvend të Republikës, askund tjetër. Ne do të jemi gardianë të parimeve dhe Republikës!”./Insajderi.com