Haziri të premten po festonte ditëlindjen e biznesmenit që merret me ndërtim

Haziri të premten po festonte ditëlindjen e biznesmenit që merret me ndërtim

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në natën e të premtes vonë me dhjetëra njerëz kur po festonte nën tingujt e muzikës së Muhamet Sejdiut tashmë i dal pozitiv me COVID-19, burime të Gazetës Insajderi bëjnë të ditur se po festonte ditëlindjen e biznesmenit, Jeton Hyseni.

Haziri ishte nën shoqërinë edhe të disa ftyrave tjera publike, siç është këngëtari nga Gjakova, Shkelzen Jetishi – Xeni.

Haziri po argëtohej me muzikë live në ambientin e hotelit/restorantit “Astoria Luxury”, për nder të biznesmenit nga Gjilani.

Hyseni është pronar i një kompanie të ndërtimit, që merret me prodhimin e hekurit, çelikut, tubave, gypave, profileve bosh e quajtur “Ceni Company”, shkruan Insajderi.

Haziri i ka thënë përmes telefonit Gazetës Insajderi se ndeja ishte private dhe se, si e tillë, “nuk klasifikohet” tek veprimtaritë e ndaluara sipas vendimit të qeverisë.

“Sepse [ndeja, v.j] nuk është mbajtur në asnjë sallë restorantesh, por në një objekt”, ka deklaruar Haziri, ndonëse pamjet e publikuara në mediat elektronike të martën në mbrëmje shfaqin kreun e Gjilanit të ulur rreth një tryeze me pije e ushqim. Në prapavijë shihet edhe emri i restorantit: “Astoria Luxury”.

Katër ditë pas kësaj ndeje, të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (IKShPK) konfirmoi se Muhamet Sejdiu dhe bashkëshortja e tij, 49-vjeç, mostrat e të cilëve ishin marrë gjatë periudhës 8-17 mars, kanë rezultuar pozitiv me virusin korona.

Si pasojë, pesë ditë pas ndejës kryetari Haziri ka filluar të ndërmarrë masa për veten dhe qytetarët e komunës. Është vetë-izoluar dhe i është nënshtruar testeve mjekësore.

“Unë nuk kam pasur kontakt me Muhamet Sejdiun, por për shkak se kemi qenë në një hapësirë të përbashkët i jam nënshtruar testeve shëndetësore dhe jam vetëizoluar”, ka deklaruar Haziri.

Ahengu i këngëtari Sejdiu ka alarmuar institucionet lokale në Gjilan. Sot, ka treguar kryetari Haziri, është bërë dezinfektimi i rrugëve dhe hapësirave publike.

“Sot kemi realizuar dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave publike. Është dezinfektuar para tre ditësh vendi ku është mbajtur ndeja”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht se dezinfektimi i hapësirave publike në komunë u krye sot, kur janë konfirmuar 19 raste pozitive me koronavirus në tërë vendin, i pari i Komunës së Gjilanit ka thënë të jetë ai ndër të parët që ka ndërmarrë masa emergjente për parandalimin e përhapjes së epidemisë.

“Çdo vendim të qeverisë që është ndërmarrë, ne e kemi zbatuar dhe gjithçka është konform situatës emergjente dhe zbatohet çdo vendim”, ka thënë Haziri.

Në ahengun e së premtës ishin të pranishëm 50 persona, raportuar mediet të mërkurën.

Këngëtari Muhamet Sejdiu dhe bashkëshortja e tij janë dy rastet e fundit që dolën pozitiv me Koronavirus. Tashmë ka shkuar në 19-të numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë. /Insajderi.com